Kujdestaria përfshin mbrojtjen bazë dhe kujdesin 24-orësh për fëmijët dhe të rriturit që nuk kanë familjen e tyre ose nuk kanë kushte jetese në familjen e tyre. Vendosja e fëmijëve në një familje kujdestare është forma më e përshtatshme e mbrojtjes së fëmijëve, sepse mundëson zhvillimin e tyre psiko-social në kushte më të afërta me mjedisin familjar. Kjo formë e mbrojtjes së fëmijëve është përdorur për një kohë të gjatë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe vazhdimisht po zhvillohet dhe përmirësohet.

Gjatë zgjedhjes së një familje kujdestare, merren parasysh gjendja e përgjithshme shëndetësore dhe përshtatshmëria e aplikantit dhe të gjithë anëtarëve të familjes. Kujdestari është i detyruar t’i sigurojë fëmijës kujdesin dhe akomodimin në familje, higjienën e përgjithshme dhe personale, ushqimin, veshjet dhe këpucët e nevojshme, të kujdeset për shëndetin e fëmijës, të kujdeset për zhvillimin, edukimin dhe arsimimin e tij. Kujdestari është i detyruar të kujdeset për plotësimin e nevojave etike, kulturore, argëtuese dhe rekreative të fëmijës së vendosur në familje, si dhe të respektojë përkatësinë etnike dhe zakonet fetare të fëmijës.

Në të njëjtën kohë, prindi kujdestar është i detyruar të mundësojë vazhdimin e marrëdhënies së fëmijës me familjen e tij biologjike, nëse ka një të tillë dhe të kujdeset dhe ta përgatisë fëmijën për takime me familjen e tij biologjike. Fëmija vendoset në një familje kujdestare derisa të jepet një zgjidhje e përhershme, që është kthimi në familjen biologjike ose birësimi. Ligji për Mbrojtjen Sociale jep të drejtën e kompensimit për shpenzimet e akomodimit të fëmijës dhe kompensimin për kujdestarinë.

E përgjithshme

Kujdestaria e përgjithshme është një shërbim nëpërmjet të cilit fëmijëve u ofrohet kujdes për plotësimin e nevojave të tyre të përditshme, kujdesin personal, edukimin, arsimimin, zhvillimin, gjendjen shëndetësore etj. Përdorues të shërbimit janë: të moshuarit, fëmijët pa prindër dhe kujdes prindëror, personat me aftësi të kufizuara.

Farefisnore

Kujdestaria farefisnore është një shërbim përkujdesjeje për një fëmijë pa prindër dhe pa përkujdesje prindërore, në familjen e gjyshes, gjyshit, vëllait, motrës, xhaxhait, dajës ose tezes.

Ndërhyrëse

Kujdestaria ndërhyrëse është shërbimi i kujdesit afatshkurtër në një familje personash që kanë nevojë për mbrojtje të menjëhershme deri në gjetjen e formave të përshtatshme të mbrojtjes, maksimumi deri në 30 ditë. Përdorues të shërbimit janë: fëmijët pa prindër dhe kujdes prindëror, fëmijët nga familjet në konflikt, viktimat e dhunës, viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore dhe persona të tjerë, gjendja sociale e të cilëve kërkon kujdes dhe mbrojtje të menjëhershme.

E specializuar

Kujdestaria e specializuar është një shërbim nëpërmjet të cilit fëmijëve u ofrohet kujdes dhe mbështetje e përgjithshme për të kapërcyer problemet sociale dhe që ofrohet nga kujdestarë që kanë kryer trajnime të specializuara. Përdorues i shërbimit është: një fëmijë viktimë e dhunës në familje, një fëmijë në rrezik dhe një fëmijë në konflikt me ligjin, një fëmijë ose një person me aftësi të kufizuara.

E përkohshme

Familja kujdestare e përkohshme ofron përkujdesje për një fëmijë ose një të rritur që është nën përkujdesjen e një familje tjetër kujdestare, si dhe për një fëmijë ose një të rritur me aftësi të kufizuara që jeton me një prind/kujdestar për qëllime pushimi, terapie, trajtimi dhe përfundimi të detyrimeve shtëpiake, familjare dhe profesionale të kujdestarit, pra prindit/kujdestarit. Pas përfundimit të nevojës për përkujdesje të përkohshme, familja kujdestare, gjegjësisht prindi/kujdestari vazhdon të kujdeset për fëmijën ose personin.

Sipas vendimit për çmimin e shërbimit social për vitin 2022, shuma e kompensimit mujor, e shprehur në shumën neto, është:

Shuma për kujdestarinë e përgjithshme është:

16.730 denarë në muaj për një fëmijë, për përkujdesjen për një fëmijë,

14.554 denarë në muaj për çdo fëmijë, për përkujdesjen për dy fëmijë,

13.091 denarë në muaj për çdo fëmijë, për përkujdesjen për tre fëmijë,

12.041 denarë në muaj për çdo fëmijë, për përkujdesjen për katër fëmijë,

11.249 denarë në muaj për çdo fëmijë, për përkujdesjen për pesë fëmijë.

Shuma për kujdestarinë farefisnore është:

10.978 denarë në muaj për një fëmijë, për përkujdesjen për një fëmijë,

8.826 denarë në muaj për çdo fëmijë, për përkujdesjen për dy fëmijë,

7.379 denarë në muaj për çdo fëmijë, për përkujdesjen për tre fëmijë,

6.340 denarë në muaj për çdo fëmijë, për përkujdesjen për katër fëmijë,

5.557 denarë në muaj për çdo fëmijë, për përkujdesjen për pesë fëmijë.

Çmimi i shërbimit social për kujdestarinë ndërhyrëse në familje tjetër është 17.584 denarë në muaj.

Çmimi i shërbimit social për kujdesin në një familje të specializuar kujdestare është:

19.615 denarë në muaj për person me aftësi të kufizuara, për përkujdesjen për një person,

17.094 denarë në muaj për person me aftësi të kufizuara, për përkujdesjen për dy persona,

18.147 denarë në muaj për fëmijë/person në rrezik.

Gati për t’u bërë kujdestar?  

Na kontaktoni tani