KUJDESTARIA

Një institucion i madh, siç është shtëpia e fëmijëve, sado e pajisur apo edhe me personel cilësor që të jetë, nuk mund të zëvendësojë kurrë dashurinë dhe mbështetjen e ofruar në një mjedis familjar. Nuk ka asgjë që mund të zëvendësojë mjedisin familjar për të ndikuar në rritjen, zhvillimin dhe mirëqenien e përgjithshme të fëmijës.

Studime të shumta në fushat e neuroshkencës, psikologjisë dhe pediatrisë tregojnë se rritja e fëmijëve në një mjedis familjar me përkujdesje jep rezultatet më të mira për sa i përket zhvillimit të tyre fizik, kognitiv (njohës) dhe emocional. Kur vendosen në institucione në moshë të hershme, fëmijët mund të kenë vështirësi në zhvillimin e marrëdhënieve të shëndetshme emocionale, sepse ata nuk mund të krijojnë një marrëdhënie të ngushtë me personelin në të njëjtën mënyrë siç do të mund ta bënin këtë me një familje të dashur. Në mungesë të llojit të tillë të kontaktit emocional dhe fizik që mund të sigurojë vetëm një kujdestar i dashur, fëmijët në institucione janë në rrezik të zhvillimit të vonuar psikologjik, emocional dhe fizik. Kur nuk është e mundur, nuk është e sigurt ose nuk është në interesin më të mirë të fëmijës të jetojë me familjen e vet, familjet kujdestare ofrojnë kujdesin alternativ më të mirë. Ato ofrojnë më shumë mundësi për ndërveprim një-në-një, mbrojtje, mbështetje dhe siguri. Jetesa në një mjedis familjar ofron një ndjenjë përkatësie dhe identiteti. Ajo ofron mundësi për të zhvilluar lidhje shoqërore në komunitet.

Kujdestaria familjare përfshin mbrojtjen bazë dhe kujdesin 24-orësh për fëmijët dhe të rriturit që nuk kanë familjen e tyre ose nuk kanë kushte jetese në familjen e tyre.

Kujdestria mund të ofrohet si e përgjithshme, e specializuar, e përkohshme, intervenuese ose farefisnore.

Më shumë

Kujdestaria si një formë joinstitucionale e përkujdesjes ka qenë e disponueshme në vend që nga viti 1961 – ajo njihej si “vendosja në një familje kujdestare”.

Që atëherë, numri i familjeve kujdestare është vazhdimisht në rritje, dhe rrjeti gradualisht po zgjerohet – më herët familjet kujdestare ishin të përqendruara vetëm në Shkup, por sot familjet kujdestare janë të disponueshme në 13 qytete në të gjithë vendin, duke përfshirë Prilepin, Makedonski Brodin, Krushevën, Kriva Pallankën, Velesin, Koçanin, Probishtipin, Manastirin dhe qytete të tjera.

Që nga dhjetori 2022, 302 fëmijë janë të strehuara në 172 familje kujdestare.

(Shënim: ky numër përfshin fëmijët në SOS Fshatin e Fëmijëve për të cilët kujdesen persona të regjistruar si kujdestarë).

Ekziston nevoja për të krijuar një rrjet të fortë kujdestarësh që mbulojnë çdo qytet të vendit për të siguruar që fëmijët e privuar nga kujdesi prindëror të vazhdojnë të jetojnë në mjedisin e tyre të njohur, një mjedis që pasqyron prejardhjen e tyre kulturore dhe për të siguruar që fëmijët të mbajnë një marrëdhënie me prindërit/familjen e tyre biologjike. Duke marrë parasysh profilet e ndryshme të fëmijëve në rrezik, moshat e tyre të ndryshme dhe nevojat specifike në lidhje me kohëzgjatjen dhe llojin e strehimit të kërkuar, numri i familjeve kujdestare të nevojshme nuk mund të përcaktohet saktësisht. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se qëllimi përfundimtar është që fëmijët të kthehen në familjet e tyre biologjike dhe nëse kjo nuk është e mundur, të birësohen, në varësi prej rrethanave.

Ne duhet të identifikojmë kujdestarët në çdo komunë në mënyrë që ata të jenë të gatshëm të ofrojnë kujdes dhe mbrojtje për fëmijët dhe të lehtësojnë ruajtjen e lidhjes me familjen, komunitetin dhe përkatësinë kulturore të fëmijës.

Sipas Ligjit për Mbrojtjen Sociale, në familje kujdestare mund të vendosen kategoritë e mëposhtme të shfrytëzuesve:

  • një fëmijë pa prindër ose pa përkujdesje prindërore, derisa të zhvillojë aftësinë për të jetuar dhe punuar i pavarur ose deri në përfundimin e arsimit të mesëm më së voni, nëse nuk ka mundësi të tjera për përkujdesje.
  • një fëmijë me probleme sociale ose të lidhura me edukimin (i neglizhuar, i keqtrajtuar ose i pasigurt)
  • një fëmijë me probleme me sjelljen sociale.
  • një person me aftësi të kufizuar zhvillimore mendore të moderuar ose të rëndë i referuar në trajnim për punë ose aktivitet produktiv.
  • një person me shkallën më të rëndë të aftësisë së kufizuar të zhvillimit mendor.
  • një person me aftësi të kufizuar fizike të përhershme.
  • një person i moshuar.
  • një i rritur me aftësi të kufizuara fizike ose një person që nuk mund të kujdeset për veten.

Kujdestari siguron një shtëpi të sigurt, një vend ku shfrytëzuesi i strehuar do të ketë përkujdesjen e duhur, kujdesin, një mjedis të sigurt, siguri, dashuri, ngrohtësi, kushte të përshtatshme për moshën dhe nevojat e zhvillimit të shfrytëzuesve, deri në kthimin e tyre në familjen biologjike, adoptimin ose arritjen e moshës madhore ligjore.

DUA TË BËHEM KUJDESTAR

Kriteret për përzgjedhjen e një familjeje kujdestare janë:

  1. Mosha

Kujdestar mund të jetë vetëm një person i cili është në moshë madhore. Diferenca në moshë midis kujdestarit dhe personit të strehuar duhet të jetë së paku 18 dhe maksimumi 50 vjet. Si përjashtim,

diferenca e përcaktuar e moshës ndërmjet kujdestarit dhe personit të strehuar nuk merret parasysh nëse fëmija vendoset në një familje kujdestare farëfisnore ose nëse kjo është në interes të fëmijës, gjegjësisht personit të rritur.

  1. Gjendja shëndetësore

Kur bëhet përzgjedhja e një familjeje kujdestare, merret parasysh gjendja e përgjithshme shëndetësore e aplikantit dhe të gjithë anëtarëve të familjes.

  1. Përshtatshmëria

Gjatë përzgjedhjes së familjes kujdestare, përshtatshmëria e aplikantit dhe të gjithë anëtarëve të familjes përcaktohet nga Qendra për Mbështetjen e Familjeve Kujdestare, e cila për këtë paraqet raport në qendrën përkatëse për punë sociale.

  1. Kushtet materiale

Me rastin e pëzgjedhjes së familjes kujdestare merren parasysh të ardhurat e familjes, të cilat janë realizuar në tre muajt e fundit para dorëzimit të kërkesës dhe të cilat duhet të jenë më të larta se shuma e përcaktuar e së drejtës për të ardhura minimale të garantuara.

  1. Kushtet e banimit

Hapësira e banimit dhe pajisjet në familjen kujdestare duhet të korrespondojnë me pajisjet mesatare të një apartamenti familjar, sipas numrit të anëtarëve në familje.

  1. Trajnimi i kujdestarëve

Përgatitja, vlerësimi dhe trajnimi i familjes kujdestare kryhet nga Qendra për Mbështetjen e Familjeve Kujdestare.

Një familje kujdestare ofron përkujdesje në një mjedis familjar të sigurt dhe stimulues për një fëmijë që nuk mund të marrë përkujdesje nga familja e tij biologjike.

Një familje kujdestare i siguron fëmijës: strehim, përkujdesje, higjienë të përgjithshme dhe personale, ushqim, veshje dhe këpucë të nevojshme, përkujdesje shëndetësore, zhvillim, edukim dhe arsimim [QPS mund të ndihmojë në sigurimin e mjeteve shkollore në varësi të nevojave]. Ato e ndihmojnë fëmijën të mbajë kontakte të rregullta me prindërit e tij biologjikë ose me të afërmit e tjerë të afërt [në përputhje me vendimin e Qendrës përkatëse për Punë Sociale] dhe ndihmojnë në plotësimin e nevojave kulturore, argëtuese dhe rekreative të fëmijës, duke respektuar përkatësinë etnike dhe zakonet fetare.

PAS MARRJES SË STATUSIT TË KUJDESTARIT

Mbështetja e personit dhe familjes kujdestare është një aktivitet i vazhdueshëm që i përgjigjet drejtpërdrejt nevojave të përcaktuara të personit dhe familjes kujdestare, me qëllim përmbushjen e detyrave të planit për mbrojtjen e personave, forcimin e kompetencave të familjes kujdestare dhe plotësimin e nevojave specifike të personit.

Mbështetja përfshin:

  1. shërbime këshilluese;
  2. mbështetje materiale;
  3. mbështetje psiko-sociale;
  4. programe edukative për përmirësimin e kompetencave të kujdestarëve për mbështetjen e zhvillimit të fëmijëve;
  5. mbështetje individuale për personin dhe familjen kujdestare dhe punë për të tejkalimi i problemeve;
  6. koordinimi i rrjetit të mbështetjes sociale për fëmijët dhe familjet kujdestare;
  7. forma të tjera të mbështetjes sipas nevojave të personit dhe familjes kujdestare.

Nëpunësi profesional nga Qendra për Mbështetjen e Familjeve Kujdestare intensifikon mbështetjen e tij në situata krize dhe ose gjatë periudhës së përgatitjes së fëmijës për shkollë, gjatë përzgjedhjes së një shkolle të mesme, si dhe gjatë periudhës së pavarësimit të personit.

Nëpunësi profesional i kujdestarisë ofron mbështetje të veçantë për familjet që kujdesen për fëmijët në rrezik, fëmijët me talent të veçantë dhe personat me aftësi të kufizuara.

Pas një vlerësimi paraprak nga Qendra e Punës Sociale për nevojën për vendosje në familje kujdestare, së bashku me Qendrën për Mbështetjen e Familjeve Kujdestare, bëhet përzgjedhja e familjes më të përshtatshme kujdestare. Pas përfundimit të vlerësimit, nëse përzgjidheni si familja më e përshtatshme, Qendra për Mbështetjen e Familjeve Kujdestare përgatit personin specifik që duhet të vendoset pranë jush.

Vlerësimi dhe vendimi për vendosjen e një shfrytëzuesi në familjen tuaj bëhet nga Qendra për Punë Sociale dhe Qendra për Mbështetjen e Familjeve Kujdestare pas një vlerësimi paraprak të nevojave dhe potencialeve të fëmijës, shkallës së ekspozimit ndaj rrezikut social dhe potencialeve dhe kompetencave të familjes suaj kujdestare.

Familja kujdestare duhet të mbështesë dhe të mbajë marrëdhëniet e fëmijës me familjen e tij biologjike, nëse është në interes të fëmijës, por gjithmonë me mbështetje dhe në bashkëpunim me Qendrën për Mbështetjen e Familjeve Kujdestare dhe Organin e Kujdestarisë. Qendra për Punë Sociale ose Organi i Kujdestarisë përcakton dinamikën dhe mënyrën e realizimit të kontakteve të fëmijës me familjen biologjike.

KOMPENSIMI PËR KUJDESTARI

Të drejtën për kompensim të përhershëm si një kujdestar e ka ai person që është kujdesur për një person në familjen e tij për të paktën pesëmbëdhjetë vjet, pasi ka mbushur 62 vjet jetë për një grua, ose 64 vjet jetë për një burrë, i cili është i papunë dhe nuk përdor të drejtën e pensionit mbi cilëndo bazë. E drejta nuk mund të ushtrohet nëse qendra për punë sociale ka shkëputur në mënyrë të njëanshme kontratën për vendosjen e një personi në familje kujdestare. Shuma e kompensimit të përhershëm për kujdestarin është 8.000 denarë në muaj, në përputhje me rritjen e kostos së jetesës për vitin paraprak, të publikuar nga Enti Shtetëror i Statistikës në janar për vitin aktual. Mënyra e ushtrimit të së drejtës së ndihmës së përhershme për kujdestarin, formularin e kërkesës dhe dokumentacionin e nevojshëm për ushtrimin e kësaj të drejte, e përcakton ministri.

Më shumë

ADOPTIMI

Ekziston një ndryshim domethënës midis kujdestarisë dhe adoptimit.

Me rastin e adoptimit të një fëmije, të drejtat prindërore kalojnë përgjithmonë te prindërit adoptues dhe me këtë vijnë edhe detyrimet e përhershme që vijnë me prindërimin. Nga ana tjetër, kujdestaria është përkujdesje e përkohshme. Kujdestaria e fëmijës i mbetet shtetit. Një kujdestar i siguron një fëmije një shtëpi të sigurt në të cilën fëmija merr përkujdesje derisa fëmija të kthehet në familjen biologjike, të adoptohet ose të rritet. Gjithashtu, kujdestari merr një pagesë mujore për të mbuluar koston e përkujdesjes për fëmijën.

Një tjetër dallim është se adoptimi është një proces i njëhershëm për të siguruar përputhjen më të mirë midis prindërve dhe fëmijës, dhe lidhja me fëmijën është e përjetshme. Marrëdhënia me Qendrën për Punë Sociale vazhdon derisa familja të rregullohet mirë. Të bëhesh prind kujdestar është gjithashtu një proces i njëhershëm, por ka një marrëdhënie të vazhdueshme me Qendrën për Punë Sociale dhe Qendrën për Mbështetjen e Familjeve Kujdestare sepse kujdestaria e fëmijës i mbetet shtetit; kjo do të thotë që Qendrat monitorojnë familjen kujdestare dhe punojnë për të siguruar që një zgjidhje e përhershme të bëhet në interesin më të mirë të fëmijës.

Ngjashmëria midis kujdestarisë dhe adoptimit është se të dyja ofrojnë një mjedis të ngrohtë dhe të dashur familjar.