Gjatë dekadës së fundit, Maqedonia e Veriut i ka kushtuar vëmendje gjithnjë e më të madhe çështjeve që kanë të bëjnë me avancimin e reformave të kujdesit për fëmijët duke u larguar nga vendosja e fëmijëve në kujdesin institucional në shkallë të gjerë dhe duke u përqëndruar tek shërbimet alternative të kujdesit, duke përfshirë përkujdesjen, jetesën e organizuar të mbështetur dhe shtëpitë e grupeve të vogla. Vendi arriti të mos mbajë asnjë fëmijë në institucione të kujdesit rezidencial në shkallë të gjerë që nga fundi i vitit 2019. Pas Ligjit për Mbrojtjen Sociale të vitit 2019 dhe politikës së qeverisë për deinstitucionalizimin, për herë të parë në vend u hapen Qendrat për mbështetje të familjeve kujdestare.

Qendrat për mbështetje të familjeve kujdestare kanë përgjegjësi në promovimin e shërbimit të kujdesit familjar, vlerësojnë dhe edukojnë familjet e ardhshme kujdestare dhe vëzhgojnë dhe ofrojnë mbështetje për familjet ekzistuese kujdestare. Ekzistojnë tri qendra për mbështetje të familjeve kujdestare në Maqedoninë e Veriut që mbulojnë rajone të ndryshme gjeografike. Dy të parat janë themeluar në korrik të vitit 2019: njëra në ambientet e ish institucionit për fëmijë pa përkujdesje prindërore “11 tetori” në Shkup dhe tjetra në ambientet e ish institucionit për foshnja dhe bebe “25 Maji” në Manastir. Një qendër e tretë për mbështetje të familjeve kujdestare u krijua në prill 2022 në kuadër të SOS Fshatrave të Fëmijëve. Ekipi funksional i Qendrave për mbështetje të familjeve kujdestare përbëhet nga punonjës socialë, pedagogë, psikologë dhe edukatorë specialë.